oraeshqipes

DREJTSHKRIMI I BASHKËTINGËLLORES “RR”

Administrator Administrator Postuar: 4 Mars, 2024

0 Shikime

Komente


DREJTSHKRIMI  I BASHKËTINGËLLORES “RR”

DREJTSHKRIMI I BASHKËTINGËLLORES “RR”

Gjuha shqipe ka shumë fjalë që shkruhen dhe shqiptohen me “rr”. Prandaj këto fjalë duhen mësuar e mbajtur mend sepse nuk ka ndonjë rregull që përcakton se në cilat raste përdoret bashkëtingëllorja “rr”.

Në jetën e përditshme hasim shumë raste kur njerëzit fjalët që shkruhen me “r” i shkruajnë apo shqiptojnë me “rr”, si: “rradhë” në vend që “radhë”, “rrol” në vend që “rol”, “karrotë” në vend që “karotë”, “mjekërr” në vend që “mjekër”, “dhëndërr” në vend që “dhëndër” etj.

Le të shohim më poshtë si bashkëtingëllorja “rr” gjendet në tri pozicione në fjalë:

▪︎në fillim,

▪︎në mes dhe

▪︎në fund të fjalës.

1. Në fillim të fjalës te:

- EMRAT: rrafsh, rrebe, rrap, rraqe, rrashtë, rrebesh, rradake, rreckë, rregull, rrenë, rrepë, rresht, rreshter, rreth, rreze, rrezik, rrëcok, rrëfim, rrokje, rrogoz, rruzë, rrunëz, rrufë, rrufe, rrush, etj.

- MBIEMRAT: (i, e) rrallë, (i, e) rremë, (i, e) rreptë, (i, e) rrumbullakët etj.

- FOLJET: rrah, rrej, rrekem, rreshk, rrëfej, rrëmbej, rrëmih, rrënoj, rrëqethem, rrëshqas, rrëzoj, rri, rrit, rrjedh, rroj, rrok, rrokullis, rropatem, rruaj, etj.

- NDAJFOLJET: rrallë, rrotull, rreth e rrotull, rrumbull, rrokopujë, etj.

2. Në mes të fjalës te:

- EMRAT: arrë, barrë, bërryl, birrë, burrë, ferrë, furrë, furrik, hirrë, karrige, kërrabë, kërriç, korrik, kurriz, murriz, murrjelë, përrallë, përrua, qerre, qurra, shkurre, thërrime, sorrë, sharrë, zorrë etj.

- MBIEMRAT: (i, e) murrët, (i, e) pjerrët, (i, e) vocërr etj.

- FOLJET: arratisem, arrij, dërrmoj, gërryej, harroj, kërrus, ngurroj, picërroj, shkarravit, shkatërroj, turrem, thërras, urrej, etj.

- NDAJFOLJET: kurrë;

- PASTHIRRMAT: urra!

3. Në fund të fjalës:

- EMRAT: curr, derr, berr, dokërr, ëndërr, gabzherr, kokërr, morr, oborr, qarr, qorr, sherr, terr, tmerr, varr, vjehërr, zjarr, zhavovorr etj.

- FOLJET: bjerr (por e kryera e thjeshtë, bora), çjerr (por çora), korr, marr (por mora), nxjerr (por nxora), tjerr (por tora), tkurr, përmjerr etj.

Me “rr” shkruhen edhe fjalët e formuara prej tyre:

bjerraditë, bjerrafat, burracak, burrëri, djerrinë, errësoj, (i, e) errët, (i,e) kërrusur, ëndërroj, ferrishtë, kokrrizë, korrëse, korrje, kurrizor, kurrkund, kurrsesi, manaferrë, marrëdhënie, marrëveshje, marros, mburracak, mburrem, mburrje, ndërresa, ngurrim, pjerrësi, rrafshinë, rrethojë, rrezatoj, rrjedhë, rrjedhore, rrjedhshëm, rrjepacak etj.

* Shënim: Nuk shkruhen me “rr” fjalët:

karotë, ngurosem, i ngurtë, racë, radhë, rebel, reshje, regjistër, rënkoj, rol, ryshfet, shteroj, i pashtershëm etj.

▪︎ Rregull: kur takohen shkronjat “r” me “rr” dhe “l” me “ll” shkruhet vetëm “rr” ose “ll”, si: përreth; dembellëk, fodullëk, hamallëk, jeshillëk etj.

~Prof. Hamdi Mazreku

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj